
Gati 4 dekada demokraci, tranzicion, ulje-ngritje, ëndrra për Bashkimin Evropian dhe një popull që ka identitetin e tij të lidhur ngushtësisht me vendin, me tokën… Kjo e fundit nga pakujdesitë institucionale ka ngelur gjithmonë “vullkani aktiv” që shpesh ju ka humbur pjesën më të madhe të jetës njerëzve nëpër procese gjyqësore nga ato që s’mbarojnë kurrë, ose kur mbarojnë nuk kanë më asnjë dobi.
Kur nisa të studioja për drejtësi u përpoqa që të kuptoja mekanizmat ligjorë që ligji ka për ta forcuar demokracinë dhe me vitet kuptova që këto mekanizma sado të ekzistonin në letra nuk zbatoheshin në praktikë, sepse ne si popull politikdashës nuk shkëputeshim dot nga të bërit protesta dhe tubime pa ju dhënë shprehi të ngjyrimeve të ndryshme politike. Dhe çalë-çalë cdo protestë ka përfundur duke prishur rendin publik dhe dhunuar të mirën publike, të ndërtuar me taksat tona…
“ Kjo nuk është Protestë”, u tha ditën e parë s’ka sesi të jenë simbolika e një proteste flamingot.
• Ditët po kalojnë dhe flamingot që ndërtuan mini kauzën sollën si derivat arsyet e shumta dhe kauzat e vërteta të kësaj proteste:
• Njerëzit nuk duan politikë të re me personazhe të vjetër, nëse mbetjet riciklohen politika jo!
• Njerëzit duan një sistem shëndetësor që të shëron dhe shërben duke respektuar dinjitetin njerëzor, sepse e drejta e shëndetit dhe e jetës është themelore.
• Njerëzit duan që deti të ngelet në bashkëpronësi të njerëzve dhe jo kufiri me “realitetin tjetër”.
• Njerëzit nuk duan të emigrojnë më, duan të rrijnë në vendin e tyre dhe të japin kontribut personal dhe profesional këtu.
• Njerëzit nuk duan korrupsionin dhe prapambetjen mendore të administratës.
• Njerëzit duan shkolla të denja për të rritur dhe edukuar fëmijët e tyre.
• Njerëzit duan një sistem meritokratik.
• Njerëzit duan suportin e shtetit për bizneset e tyre dhe jo politika rrënduese që i bëjnë në përfundim të falimentojnë gjithmonë.
• Njerëzit duan që mos kërcënohet natyra duke u gërryer deri në shkëmbin dhe malin e fundit dhe të kemi si rezultat vendin më të ndotur dhe CO2.
• Etj, etj, etj, vazhdon…
Realizuam me këtë protestë një pikë shumë të rëndësishme, protestuam në formën më sublime kushtetuese! Nëse Historia do dojë të kuptojë dhe kujtojë sesi bëhet një protestë e paqtë dhe me gjithë ngjyrat e saj demokratike, ku njerëzit shprehen, dëgjohen, mbështeten, ku nuk sforcohen për t’u organizuar, ku nuk u bëhet presion, ku nuk kanë frikë mbi të gjitha, ky është modeli. Dhe më e shëndetshme do të jetë nëse nuk shtrembërohet, por të përmbyllet ashtusic nisi si nevojë për ndryshimin e domosdoshëm… Po fryn “Era e Ndryshimit”, duket si fllad i lehtë shprese…!Ndoshta dhe Europa kështu na do…


